Komuna e Prishtinës rinovon 6 shkolla gjatë pandemisë, planifikon të ndërtoj dy të reja

0

Në fshatin Kolovicë, komuna e Prishtinës ka në plan që këtë vit të ndërtoj dy shkolla, dy kopshte si dhe adaptimin e një kopshti. Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Shpresa Shala.

“Ne këtë vit kemi plane për ndërtimin e një shkolle profesionale dhe gjithashtu Qendrën e Kompetencës me bashkëfinancim, gjithashtu do të fillojmë edhe ndërtimin e dy kopshteve dhe adaptimin e një kopshti në fshatin Kolovicë për fëmijët e atij fshati”, ka thënë ajo.

Mësimi në distancë sipas saj ka shërbyer që të rinovohen 6 shkolla të ndryshme si dhe të intervenohet në rregullimin e inventarit.

“Kjo kohë ka shërbyer pozitivisht për renovimet, ne i kemi shfrytëzuar kontratat të cilat i kemi pasur aktive me buxhetin e vitit 2019 dhe jemi duke rinovuar për momentin 6 shkolla, jemi duke bërë gëlqerosje,jemi duke rinovuar nxehjet qendrore dhe duke i bërë të gjitha punët me të gjitha kontratat të cilat i kemi aktive”, ka thënë Shala.

Ndërsa për mësimin online, ajo tha se po zhvillohet pa probleme.

“Momentin që ka filluar ministria e arsimit me shfaqjen e mësimeve online në RTK, atëherë ne si komunë na është dashur të organizojmë komunikimin e mësimdhënësve me nxënës dhe pjesën e vlerësimit gjithashtu pasi që nuk mund të konsiderojmë që viti ka humbur dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale në baza ditore që t’i monitorojmë shkollat dhe t’i udhëzojmë me mënyrën se si duhet punuar me nxënësit me mësimin në distancë”, ka thënë Shala për Ekonomia Online.

Shala ka shtuar se mbajtja apo jo e testit të maturës është vendim që i takon ministrisë së Arsimit, por që mund të jetë e padrejtë ndaj nxënësve dhe mund të ndikoj në pranimin e tyre nëpër fakultete.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu