Bashkimi Evropian kundërshton hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem

0

Zotimi i Kryeministrit, Avdullah Hoti, me Marrëveshjen e Uashingtonit, se Kosova do të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, ka nxitur reagime të ndryshme, përfshirë edhe ato që vijnë nga Bashkimi Evropian. Asnjë vend i BE-së, sipas zyrtarëve në Bruksel, nuk ka ambasadë në Jerusalem.

Njëra nga pikat më të komentuara nga marrëveshja e nënshkruar në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, është çështja e njohjes së Kosovës nga shteti i Izraelit dhe sidomos zotimi për hapjen e ambasadës në Jerusalem. Në një konferencë për media ka reaguar edhe Zëdhënësi i BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i cili ka thënë se në këtë qytet nuk ka ambasadë asnjë shtet i BE-së si dhe nuk ka as delegacion të BE-së atje.

“Sa për ambasadat është angazhim bilateral i tyre. Këto pyetje duhet t’u bëhen atyre. Unë vetëm mund të them se pozicioni i BE-së për lëvizjet e ambasadave në Jerusalem është i njohur dhe nuk ka ndryshuar. Nuk ka shtet të BE-së me ambasadë në Jerusalem. Nuk ka delegacion të BE-së në Jerusalem. Është në vijë me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara. BE e ka përsëritur përkushtimin për zgjidhjen për dy shtete. Duhet gjetur rrugë nëpërmjet dialogut për të zgjidhur statusin e Jerusalemit si kryeqendër e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës. Pasi që Kosova dhe Serbia e kanë prioritet integrimin në BE, BE pret që të dyja të veprojnë në vijë me këtë përkushtim”, ka deklaruar Peter Stano – zëdhënës i BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri.

Për çështjen e hapjes së kësaj ambasade, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar nga Turqia që Kosovës t’i bëhet presion, nëse e hapin ambasadën në Jerusalem. Ai për mediat serbe ka thënë se po pret nga presidenti turk Erdogan të dijë se çfarë do t’u thotë Thaçit e Hotit, për këtë.

Ndërsa në një konferencë për media, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për bisedën që ka pasur me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, ku tha se hapja e ambasadës në Jerusalem nuk do të dëmtoj raportet mes Kosovës dhe Turqisë.

Politologu, Ramush Tahiri, thotë se nuk beson qe Vuçiq ka guxim që brenda një viti të mos e bart ambasadën e Serbisë në Jerusalem.

“Nuk besoj se Vuçiq do të ketë guxim që brenda një viti të mos e bartë ambasadën e Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem pavarësisht kërcënimit të Autoritetit Palestinez që kanë thënë se kush zhvendos ambasadat në Jerusalem me ta shkëputin marrëdhëniet”, deklaroi për Dukagjinin, Ramush Tahiri.

Pika e fundit e marrëveshjes së nënshkruar në Uashington nga Kosova thotë se Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu