Prishtina, komuna me qeverisjen më të dobët në Kosovë

0

Prishtina ka treguar performancë më të dobët se 24 komunat e tjera gjatë vitit 2019. Me 59.1%, kryeqyteti është radhitur i 25-i në mesin e 36 komunave në raportin e performancës së komunave të realizuar nga Ministria e Pushtetit Lokal (MPL).

Pavarësisht që është komuna me buxhetin më të madh në dispozicion dhe e vetmja që ka ligj të sajin, Prishtina është renditur nga Ministria në mesin e komunave që kanë treguar performancë të mesme, raporton KOHA. Vlerësimi është bërë në 19 fusha të ndryshme, të cilat përmbajnë 119 tregues.

Shërbimet Publike Administrative

Dobët, Prishtina është vlerësuar në fushën e shërbimeve publike administrative. Ajo është renditur në vendin e parafundit me 32.8%, ku performancë më të dobët se Prishtina ka vetëm Zubin Potoku.

Transparenca Komunale

Komuna qëndron më mirë te pjesa e transparencës komunale, ku hyjnë publikimi i informacioneve që kanë të bëjnë me buxhetin dhe raportet e shpenzimeve. Në këtë fushë, Prishtina renditet në mes të komunave me vlerësim 89.52%.

Barazia në Punësim, Shërbime Sociale dhe Familjare

Sa i përket punësimit të personave me nevoja të veçanta dhe përfshirjen e komuniteteve jo shumicë, komuna sipas raportit ka përmbushur 63% të kësaj fushe.

Planifikimi Hapësinor

Në fushën e planifikimit hapësinor e cila mat zhvillimin hapësinor komunal dhe nivelin e planifikimit të ndërtimeve, Prishtina radhitet si komuna e pestë me 64.57%.

Hapësirat Publike

100% të performancës, Prishtina e ka arritur në nivelin e hapësirave të gjelbra për kokë banori, fushë kjo e cila mat edhe sipërfaqen e hapësirave publike të cilat mirëmbahen nga komuna.

Infrastruktura rrugore

Te pjesa e infrastrukturës, në të cilën maten rrugët dhe infrastruktura përcjellëse që janë nën kompetencën e komunës, Prishtina renditet në vendin e 23 me performancë prej 43.86%.

Kryetari Shpend Ahmeti nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit lidhur me të gjeturat e këtij raporti. Ndërsa, përmbajtjen e raportit e quan profesional dhe të saktë, zëvendësministrja e Pushtetit Lokal, Magbule Shkodra.

Shkodra thotë se komunat që nuk pajtohen me këto vlerësime kanë kohë që brenda 7 ditësh nga publikimi i raportit të dërgojnë ankesë.

Prishtina po i afrohet vitit të fundit gjatë mandatit të dytë nën drejtimin e Shpend Ahmetit. Shumë rrugë kanë nisur të ndërtohen e projekte të tjera të realizohen pak muaj para 2021-s, vit ky kur mbahet zgjedhjet e reja komunale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu