30 vjet pas ribashkimit, kufiri ndërgjerman shndërrohet në oazë të gjelbëruar

0

Dy burra, njëri me biçikletë e tjetri me dylbi, takohen në një fushë midis Gjermanisë një pasditeje të trishtë. Që të dy 61-vjeçarë, burrat nisin diskutimin me mirësjellje, ashtu siç të panjohurit rëndom bëjnë, se ku saktësisht kishte qenë kufiri mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore.
Shumë shpejt vërehet qartë se që të dy kishin goxha arsye për të menduar se kishin të drejtë. Njëri kishte qenë rojë në kufirin e Gjermanisë Lindore; tjetri qe rritur në perëndim të kufirit dhe kishte nisur vrojtimet e zogjve në rajon që në moshën 13-vjeçare.

“Mund të më kishe parë këtu me dylbitë e mi të mëdhenj”, thotë Kai Frobel, vrojtues i zogjve, duke aluduar në periudhën prej më se tri dekadave më parë.

“Kishte fare pak të tilla asokohe”, qeshet Mario Wenzel, roja i dikurshëm, para se të parashikonte ngutshëm se askush nuk do ta mbante mend realitetin e një kufiri përbrenda Gjermanisë. Derisa kufiri i mobilizuar që e ndau Gjermaninë për 38 vjet resht është zhdukur më shpejt sesa dallimet e vazhdueshme ekonomike dhe politike mes dy anëve, vraga e zbehur e 1 mijë e sa kilometrave dallohet ende. Është e gjelbëruar.

Monument natyror

Pas një beteje të gjatë midis pronarëve të tokave, autoriteteve qeveritare dhe ambientalistëve, qeveria federale ka njoftuar muajin e shkuar se e gjithë zona e dikurshme e kufirit do të shndërrohet në një rezervat natyror.

“Është ky një monument kombëtar natyror – i ngjashëm me Shtatoren e Lirisë”, thotë Frobel, ekologu që kishte punuar për BUND, agjenci gjermane e konservimit të natyrës, që nga viti 1985.

Kalimi i këtij vargu që dikur ishte pengesë e pakapërcyeshme – sidomos për njerëzit nga Lindja – tani ka marrë trajtën e një shëtitjeje të rehatshme në park.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu