TAKOHEN REKTORËT E UNIVERSITETEVE PUBLIKE: MËSIMI TË MBAHET NË FAKULTETE

0

Studentët e vitit të parë të universiteteve publike në vend do të fillojnë procesin mësimor me 15 tetor, ndërsa të gjitha orët e humbura do të kompensohen.

Kjo u bë e ditur në takimin e rektorëve të Universiteteve publike në vend, të cilët janë takuar për herë të parë me rektorin e sapo zgjedhur të Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti.

Në këtë takim u tha se është duke u diskutuar që mësimi të mbahet në objektet e fakulteteve dhe jo online.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, tha se për studentët e viteve të para procesi mësimor do të fillojë me 15 tetor, derisa theksoi se deri në fund të muajit do të nxjerrin një bilanc se sa orë janë humbur e të cilat do të kompensohen.

“Vendimi ekziston, studentët e vitit të parë nga 15 tetori, ndërsa të viteve tjera nga 1 tetori. Kuptohet një pjesë e madhe mbetet edhe në autonomi të vet njësive akademike, pastaj çështja e orarit saktësisht ku cila ligjëratë ato janë pastaj çështje që vet njësitë akademike i definojnë, zyrtarisht me 1 tetor ka filluar, oraret janë publikuar, nuk do të thotë që javën e parë ndoshta ndonjë ligjëratë të mos jetë humbur po e cila pastaj do të kompensohet. Ne deri në fund të këtij muaji do ta nxjerrim një bilanc sa orë janë mbajtur, sa janë humbur dhe do ta hartojmë pastaj një dinamikë të kompensimit të atyre”, tha Sahiti.

Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, njëherësh kryesuesi i Konferencës së Rektorëve, Bajram Kosumi, tha se çështja më e rëndësishme për ta këto kohë është mënyra e mbajtjes së procesit mësimor.

Përkundër që është vendosur që mësimi të mbahet i kombinuar, ai tha se janë duke e diskutuar që mësimi të mbahet në klasa dhe jo online.

“Çështja e formatit të mësimit, senatet tona kanë marrë vendim që mësimi të jetë i kombinuar edhe online edhe në klasë, por ka gjasa që sipas disa shenjave që mësimi online do të jetë pak më me vështirësi të theksuara se në semestrin e kaluar. Semestri i kaluar ka qenë perfekt me mësimin online, prezenca e studentëve në orët mësimore ka qenë më e madhe se në klasë, orët e humbura kanë qenë minimale, nuk ka profesor që ka humbur orë në semestrin e kaluar online, por ka qenë një faktor tjetër që e ka determinuar këtë, është karantinimi, do të thotë studentët mezi kanë pritur të mbajnë orën online sepse kjo ka ndikuar edhe njëfarë terapie pozitivisht. Tash nuk është ashtu, tash studentët dalin në kafe dhe ai e ka problem me e lanë kafen dhe me hy në mësim online. Prandaj, ne jemi duke e diskutuar format që mësimi të bëhet jo online po të bëhet drejtpërdrejt në klasë fizik, vetëm në raste të veçanta kur nuk ka zgjidhje ta lëmë online, por pjesa tjetër e mësimit të jetë ndoshta 90 e sa përqind të jetë në klasë krejt”, tha ai.

Në këtë takim të rektorëve, Kosumi tha se janë në pritje të miratimit të katër statuteve të Universiteteve publike.

Ndërkaq, rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” Fadil Millaku, tha se ngritja e cilësisë në të gjitha universitetet duhet të jetë objektivi kryesor i tyre.

“Ne si Konferencë e Rektorëve i kemi mbajtur disa konferenca, tash e kemi në Prizren dhe pikërisht ka të bëjë me profilizimet e Universiteteve, për arsye se është fol bukur shumë. Mandej do të shohim edhe konferenca të tjera që kanë të bëjnë pikërisht me problemet në arsimin e lartë, në veçanti folët shumë për cilësi dhe ne të gjithë pajtohemi që ngritja e cilësisë në Universitetet tona duhet të jetë objektivi kryesor, për arsye se çdo studentë që e merr një diplomë ai studentë duhet të jetë i gatshëm për tregun e punës”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu