THAÇI JEP DORËHEQJE: FORCAT POLITIKE TË DËSHMOJNË MATURI

0

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në konferencën për media ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga ky post pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

“Ashtu siç kam premtuar nuk do të lejojë në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës, prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit dhe popullit të Kosovës dhe duke respektuar edhe partneritetin me Bashkësinë Ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se ndihet shumë krenar me përgjegjësitë që ka bartur në këto tri dekada në pozicione, kapacitete dhe përgjegjësi të ndryshme institucionale të besuara nga vullneti i votës së lirë të qytetarëve të Kosovës, teksa ka ftuar partitë politike për maturi dhe unitet.

“Në këto rrethana të reja ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha. Të qëndrojmë të bashkuar e të mos lejojmë të thellohemi në kriza kushtetuese apo institucionale. Të vëmë interesat e shtetit mbi ato personale dhe ato partiake. Vendi dhe shoqëria jonë nuk ka kohë për të humbur, prandaj ftoj dhe lus që ta ruajmë orientimin atlantik të shtetit dhe shoqërisë sonë. Iu ftoj dhe ju lus që të besoni në shtetin e Kosovës dhe Kosovën e re e evropiane, në atë të rendit dhe ligjit, në Kosovën në NATO dhe raporte special e të përhershme me SHBA-në”, ka nënvizuar Thaçi.

Ai shprehu mirënjohje dhe falënderim për miqtë ndërkombëtar, për siç tha rrugëtimin e përbashkët prej tri dekadash.

“Falënderim i përhershëm për SHBA-në, shtetet e BE-së dhe aleatëve tanë në tërë botën. Asnjë sfidë nuk do të mund të cenojë partneritetin e Kosovës me aleatët perëndimor, në rrugën tonë drejt vlerave atlantike. Të dashur qytetarë iu falënderoj për solidaritetin që keni treguar dhe mbështetjen në këtë periudhë kohore, por edhe ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të shmangni çdo lloj manifestimi publik, me motiv mbështetës apo protestues. Drejtësia nuk bëhet në rrugë, por në ballafaqim të argumenteve. Iu falënderoj përulësisht për besimin që më keni dhënë. Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim. Do të shihemi prapë e do të dalim faqebardhë. Ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e saj dhe miqtë ndërkombëtar”, ka theksuar Thaçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu