Biden: “Ne do ta fitojmë këtë garë”

0

Në komentet që bëri të premten mbrëma, ish-nënpresidenti Joe Biden tha se shifrat tregojnë se ai do ta fitojë garën për presidencën, por shtoi se ende nuk ka një deklaratë përfundimtare të fitores. Ai tha se shpreson të flasë para amerikanëve të shtunën dhe bëri thirrje për unitet dhe qetësi.
Zoti Biden tha se ai dhe kandidatja për nënpresidente Kamala Harris tashmë ishin takuar me ekspertë ndërsa përgatiten për Shtëpinë e Bardhë.

Fjalimi i zotit Biden ishte planifikuar fillimisht si një festim i fotores, por ai e ndryshoi planin në mungesë të një parashikimi zyrtar nga ana e rrjeteve televizive dhe ekspertëve zgjedhorë.

“Vota juaj do të numërohet. Nuk më intereson se sa shumë përpiqen të tjerët për ta ndalur atë. Unë nuk do ta lejoj të ndodhë,” tha zoti Biden përpara gazetarëve dhe ndihmësve. Ai shtoi se do të përpiqet të sheshojë ndasitë partiake në vend dhe të merret me çështje madhore s pandemia e koronavirusit.

Zoti Biden tha se do ta fitojë Pensilvaninë, po fiton në Arizona dhe Nevada dhe se do ta fitojë garën me një shumicë të qartë. Ai tha se është në rrugën e duhur për të marrë mbi 300 vota të kolegjit elektoral. Kandidati Biden, i cili po e rrit diferencën me Presidentin Donald Trump në Pensilvani, tha se ka një mandat për COVID-in, ekonominë, ndryshimin e klimës dhe racizmin sistematik, siç u shpreh ai.

Të premten në mbrëmje, Presidenti Donald Trump shkruante në Twitter: “Joe Biden nuk duhet të pretendojë pa të drejtë fitoren për zyrën e Presidentit. Unë mund të pretendoj të njejtën gjë. Procedurat ligjore sapo kanë filluar”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu