​MUSTAFA: NËSE NUK KA MARRËVESHJE PËR PRESIDENTIN, ZGJIDHJE JANË ZGJEDHJET

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk e ka mohuar përkrahjen e një kandidati të Partisë Demokratike të Kosovës për president të vendit, por tha se ende nuk e kanë biseduar një gjë të tillë me drejtues të kësaj partie.

E në rast se nuk ka një marrëveshje politike për presidentin, Mustafa tha se zgjidhje janë zgjedhjet.

Kreu i LDK-së pas takimit me shefin e grupit parlamentar të partisë në Kuvend, para gazetarëve tha se ajo që ka dalë në media se presidenti i takon PDK-së, nuk e ka thënë këtë në mënyrë eksplicite, por ka folur vetëm për parime dhe numrin deputetëve në Kuvend.

“Nuk e di, nuk mundem me u shpreh sot. Duhet me qenë vendim i LDK-së nuk është vendim individual. Por ne akoma nuk kemi një vendim të PDK-së që do të japin kandidatin për president të vendit. Pas nesh është partia e tretë me radhë për nga numri i deputetëve. Por në pikëpamje të presidentit është çështje e tyre, por edhe e jona që të diskutojmë. Ajo që ka dalë në media se presidenti i takon PDK-së, unë nuk e kam thënë këtë në mënyrë eksplicite, por kam folur vetëm për parime dhe numrin deputetëve në Kuvend”, tha ai.

I pyetur se a kanë biseduar me PDK-në për përfshirje në qeveri, Mustafa tha se aktualisht nuk kanë diskutuar për këtë çështje.

“Jo tani nuk jemi duke diskutuar se është një situatë e rëndë e ndjeshme. Pavarësisht gjithave ne jemi në një situatë që presidentin e vendit e kemi në Hagë, dy ish kryetar të Kuvendit dhe shefin e GP të LVV dhe nuk është situatë e cila nuk duhet të ketë vëmendjen tonë dhe brengën tonë sepse ne duhet të angazhohemi që të ruajmë dinjitetin e shtetit tonë në mënyrë që viktima mos konvertohet në kriminel dhe se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë”, tha ai.

Ndërkaq për kandidaturën e Ramush Haradinajt për president, Mustafa tha se i nevojitet një marrëveshje që siguron përkrahje të gjerë.

“Është e drejtë e tyre që të kandidojnë anëtarët e tyre, por askush nuk mund t’i thotë se nuk keni të drejtë të kandidoni. Por mirëpo neve na nevojitet një marrëveshje që na siguron përkrahje të gjerë, 80 vota në Kuvend”, tha ai.

Në rast se nuk ka konsensus, Mustafa tha se zgjidhje tjetër janë zgjedhjet.

“Nëse nuk gjejmë zgjidhje për një marrëveshje të tillë, atëherë zgjidhje tjetër janë zgjedhjet”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu