SHALA: KOSOVËS I DUHET REFORMË ZGJEDHORE QË MOS TË KEMI KRIZA POLITIKE

0

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala në emisionin “Debat” të RTK-së ka folur për krizën politike që tashmë po mbretëron në vend për shkak të pozitës së presidentit.

Ai thotë se kriza politike në vend buron nga sistemi zgjedhor.

“Në fakt kriza ka nisur në sistemin zgjedhor dhe aty shihen defektet. Më herët patëm krizë 7-8 muaj me barrikadime politike dhe kjo shfaqi problemet në sistemin tonë zgjedhor. Partitë nuk kanë arritur t’i pastrojnë këto defekte zgjedhore”, ka thënë Shala.

Duke folur për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse nuk zgjidhet presidenti, Shala ka ngritur pyetjen se çka pas zgjedhjeve?

“Çka pas zgjedhjeve, mendoj se do të kemi situatë të njëjtë. Problemi kryesor mbetet zgjedhja e presidentit. Nëse nuk e zgjedhim sot presidentin, s’mundemi as pas zgjedhjeve. Asnjë parti s’do të mund të fitojë shumicën, edhe me 50 për qind nëse dikush i fiton, s’do të mund ta kenë të gjithë pushtetin”, thekson Shala.

Sipas tij, kriza politike do të vazhdojë nëse partitë nuk ulen dhe nuk e disktojnë një reformë zgjedhore.

“Presidenti duhet të hiqet nga pazaret politike dhe i pari i shtetit duhet të zgjedhet nga qytetarët. Ne e kemi edhe një interpretim të Gjykatës Kushtetuese, por as me atë intepretim nuk kemi arritur të kemi zgjidhje politike në vend. Partitë duhet të reflektojnë në këtë situatë, sepse jemi në një situatë shumë të rrezikshme. Partitë mund ta bëjnë këtë dhe të vazhdohet tutje dhe të shkohet në zgjedhje, por jo të kemi pengesa dhe kriza pas zgjedhjeve”, ka thënë Shala. /RTKLive/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu