AZEMI: NUK DALIM NGA GREVA PA MARRËVESHJE SE DO T’I MARRIM MJETET

0

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat njoftoi se punëtorët teknik nëpër spitalet e vendit nuk do të dalin nga greva derisa të marrin pagesat shtesë, siç i kanë marrë personeli mjekësor. Kjo është edhe kërkesa e vetme për të cilën mbi 2 mijë punëtorët teknik të spitaleve të vendit sot kanë hyrë në grevë.

Jusuf Azami, kryetar i sindikatës, tha se nga ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, janë njoftuar se deri nesër do të ketë një vendim nëse do të ketë pagesa për këta punëtoret.

Azemi u shpreh se nuk do ta ndërpresin grevën derisa të ketë marrëveshje zyrtare se këto mjete do të dalin në llogaritë e punëtorëve.

“Deri nesër në këtë kohë do të kemi versionin përfundimtar se cila do të jetë zgjidhja e pagesës për këta punëtorë, e përsëris nuk është kontestuese në asnjë rast çështja e pagesës, vetëm dedikimi ose pozicionimi ose marrja e vendimit të qeverisë që mund të ndodh sot për ndarjen e këtyre mjeteve…Nëse negociatat vazhdojnë dhe shkojnë kështu siç jemi marrë vesh, unë mendoj që nesër mesdita do të na gjejë në vendet tona të punës, megjithatë kurrgjë nuk ka konkrete po flas kështu përderisa mos të përfundojnë të gjitha. Ne si Sindikatë në asnjë moment nuk do të dalim nga greva përderisa nuk kemi dokument zyrtar ose marrëveshje zyrtare se këto mjete do të dalin në llogaritë e juaja”, tha ai.

Ai tha se në disa vende punëtorët janë duke u përballur me presion, ku përmendi Komunën e Pejës.

Kreu i sindikatës tha se çdo kompani që tenton të zëvendësojë një punëtor me një tjetër gjatë kohës së grevës, do të marrë dënim deri në 5 mijë euro.

Po ashtu, ai bëri të ditur se ditën e sotme nga ora 12:00, grevës do t’i bashkohen edhe punëtorët teknik të QKUK-së.

“Mbi 70 përqind të punëtorëve të QKUK-së e kanë thyer barrikadën që e kanë pasur brenda për brenda dhe ata janë pjesë përbërëse e jona. Në orën 12 një grup i punëtorëve do të jenë prezentë…Informacion zyrtar kemi pasur derisa dje në mëngjes që këta punëtorë nuk do t’i bashkohen grevës, tani mbi 70 përqind të këtyre punëtorëve janë pjesë përbërëse edhe e jona tash”, tha ai.

E punëtorët teknik nëpër spitale e Qendra të Mjekësisë Familjare, mos marrjen e shtesave si personeli shëndetësor po e quajnë diskriminues.

Adem Borovci, punëtorë sigurimi në QMF-8 në Prishtinë, thotë se me këtë vendim janë diskriminuar punëtorët që kanë të ardhura më të ulëta.

“Nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare punojë prej 7 korrikut 1999, deri në 2011 kemi qenë nën menaxhimin e komunës. Kjo grevë është shkak i kësaj mos përfshirjes në pakon e qeverisë, qeveria neve më së shumti na ka injoruar kur ka thënë ata janë punëtorë të sektorit privat, po qeveria ka harruar që këto institucione si lokale si qendrore na kanë privatizuar pa na pyetur neve fare. Këto para që janë dal shtesë për me u shpërnda për punëtorët, në pakon e parë ne kemi përfituar njëjtë si të gjithë punëtorët tjerë si mjeku, si tekniku, si sigurimi, si higjienisti. Kësaj radhe na kanë hequr prej listës kinse ju jeni punëtorë të sektorit privat dhe nuk ju takojnë me marrë para prej thesarit të shtetit, kjo për neve është diskriminim ndaj punëtorëve, diskriminim ndaj atyre punëtorëve që janë me të ardhura më të ulëta”, tha ai.

Edhe Xhavit Rrustemi, punëtor sigurimi në QKMF në Prishtinë, tashmë 5 vite, thotë se ata janë gjatë gjithë kohës të rrezikuar dhe i kanë merituar shtesat si personeli mjekësor.

“Jemi shumë të anashkaluar pse nuk na kanë shti në listë, kurse i kanë marrë mjekët dhe motrat, teknikët është dashur edhe ne. Ne jemi kontakti i parë me pacientin pastaj vijnë mjekët edhe motrat, në hyrje të ambulancës ne jemi numër një kontakti me pacientët”, tha ai.

Lidhur me çështjen e shtesave për punëtorët teknik të spitaleve të Kosovës, gjatë ditës ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka mbajtur takim me kryetarin e Sindikatës, Jusuf Azemi, ku tha se brenda dy ditëve do të shohin për mundësinë e pagesës për këta punëtorë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu