PDK: QEVERIA DËSHTOI ME ARSIMIN GJATË PANDEMISË

0

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, profesori Muzafer Shala, ka mbajtur sot një konferencë për media përmes së cilës ka denoncuar mënyrën e dobët të organizimit të procesit arsimor nga Qeveria.

Shala ka thënë se Kosova sot përballet me një situatë të patolerushme të keq-menaxhimit të procesit mësimor nga ana e qeverisë Hoti, e veçanërisht Ministria e Arsimit.

Shala ka quajtur skandaloz vendimin e fundit të Ministrisë së Arsimit për të zgjatur pushimin dimëror për nxënësit, të cilët edhe ashtu kanë mbajtur shumë më pak orë sesa viteve paraprake.

Madje, ai ka thënë se këto vendime absurde po rrezikojnë edhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Në fund, Shala ka propozuar një sërë pikash për Qeverinë të cilat duhet të implementohen menjëherë, duke nisur nga vendosja urgjente e mekanizmave konkret për sigurimin e cilësisë në kohë pandemie;

Lexoni fjalimin e plotë të Muzafer Shalës:

Të nderuara Media,

Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë për media.

Partia Demokratike e Kosovës edhe sot, sikurse e ka bërë në vazhdimësi, shpreh pakënaqësinë e thellë me situatën aktuale të arsimit në vendin tonë, mënyrën e menaxhimit dhe neglizhencën e madhe të treguar!

E pyetja që sot e shtrojmë nga kjo konferencë, edhe unë si prind, por edhe shumë familje e prindër kudo në Kosovës është – Çfarë po ndodhë me shkollimin e fëmijëve tanë gjatë kohës së pandemisë? A di kush nëse qeveria ka një plan për ruajtjen e cilësisë dhe të shtrirë në një plan kohor më afatgjatë dhe të mirëmenduar?

Fatkeqësisht, deri më tani nuk ka ndodhur as njëra e as tjetra. Shohim vetëm improvizim por jo plan të menduar mirë!

Kosova sot përballet me një situatë të patolerushme të keq-menaxhimit të procesit mësimor nga ana e qeverisë Hoti, e vecanërisht Ministria e Arsimit.

Ky institucion është aq jo kredibil, jo aktiv, dhe jo profesional dhe aspak kompetent, sa që për shumë gjenerata asocon me zhvillimin e procesit mësimor në kohën e luftës, pasojat e të cilit i kemi evident edhe sot si efekt i mosarritjes së rezultateve të pritura!

Kjo qeveri e menaxhon arsimin sot për nesër!

Ky shqetësim nuk është politik apo që vjen nga një parti opozitare. Por është rezultat i bisedave nga përvoja me shumë nxënës, mësimdhënës, prindër, e profesionist të arsmit, dhe nga analiza që ne si Parti Demokratike e Kosovës kemi bërë duke krahasuar me vendet e rajonit dhe ato evropiane se si kanë menaxhuar me procesin e mësimit gjatë pandemisë.

Qeveria e Kosovës është në gjumë ose më mirë të thuhet e paaftë sa i përket organizimit te procesit mësimor në kohë pandemie.

Madje që është edhe më keq – nuk ka arritur ta implementoj as gjymsën e planit të propozuar vet për fillimin e vitit te ri shkollor 2020/2021 në kushte pandemie!

Disa nga problemet e shumta që e kanë karakterizuar procesin mësimor janë:

MAShT-i është zotuar se do të gjej zgjidhje për 300 mësimdhënësit me sëmundje të rënda dhe kronike mirëpo Drejtoritë Komunale Arsimore në Komuna nuk po e zbatojnë këtë!

·Vendimet e reja të masave anti-Covid i ndalojnë mësimdhënësit e moshës përmbi 60 vjeçare që të shkojnë në shkolla për të mbajtur mësim. E pikërisht këtyre personave nuk u është ofruar ndonjë trajnim për procesin e mësimit online. Trajnimet për teknologjitë me të cilat implementohet mësimi online pothuajse nuk kanë ekzistuar fare;

· Tek procesi i mësimit fizik në shkolla, orët mbahen nga 30 min dhe kjo natyrisht do të ndikoj në rezultatet e nxënies së mësimit, e qe përkthyer në numra i bie që për 1 javë, secila klasë i ka diku 400 minuta më pak mësim. Pra, një orë mësimore në ditë më pak është baraz me 33% të mësimit të humbur;

· Si rezultat i legjislacionit dhe procedurave burokratike, Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë arritur t’i furnizojnë shkollat me maska, dezinfektues dhe mjete të tjera mbrojtëse. Krejt kjo është lënë në mëshirën e donatorëve, ku dihet se nuk është mbuluar i tërë territori i Kosovës. Pra qeveria ka dështuar të sigurojë mjetet më bazike – maska për mësimdhënësit dhe nxënësit!

· Mungesa e librave për nxënësit këtë vit ka qenë më e madhe për shkak të krizës ekonomike që i ka kapluar familjet në Kosovës si rezultat i pandemisë;

· Ka raste kur inspektoret shkojnë vazhdimisht në institucione shkollore dhe merren vetëm me pjesën formale të kontrollit, dhe zhvillimi i procesit mësimor është pa mbikëqyrje fare!

E për ti dhënë nje vulë edhe më të fuqishme këtij keqmenaxhimi, Qeveria Hoti vendosi që ta ndërpres procesin mësimor para kohe. Kjo është e patolerueshme në aspektin e implementimit të planprogramit mësimor dhe një barrë shumë e rëndë për prindërit, që gjatë kësaj kohe duhet të punojnë!

Pra nxënësit do të pushojnë plotë 1 muaj gjatë dimrit, dhe kur i shtohet numri i orëve të humbura gjatë këtyre muajve të kaluar – i bie që viti 2020 është i humbur për ta!

Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë Hoti që ta kthej sa më parë fokusin tek sigurimi i cilësisë në arsim, shëndeti i nxënësve dhe mësimdhënëse dhe t’i minimizoj efektet negative që mund t’i vuajmë në 10-20 vitet e ardhshme!

Duke u bazuar në rekomandimet e organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, Forumi Ekonomik Botëror, OECD dhe sugjerimet e palëve të interesit ne Kosovë siç janë mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, shoqëria civile etj, atëherë ne i propozojmë qeverisë të foksuohet sa më shpejt në këto prioritete:

– Planin nacional për digjitalizimin e shkollave duke përfshirë edhe literaturën dhe modelin e mësimdhënies në këtë formë si dhe pajisjen e të gjithë nxnënësve (330,000 në total) dhe 23,000 mësimdhënësve me llaptop e jo me tablet siç po flitet tani;

– Të vendosin urgjentisht mekanizma konkret për sigurimin e cilësisë në kohë pandemie;

– Përgatitjen e protokolleve për modelet e mësimdhënies në kushtet te pandemisë, dhe

– Përgatitjen e manualeve për procesin mësimor për Mësimdhënës, Nxënës dhe Prindër në këto kushte pandemie.

Këto pika duhet të përfillen sa më parë, përndryshe, ne do të pësojmë goditjen më të madhe në Arsim që nga lufta, duke goditur jashtëzakonisht shumë gjeneratat aktuale të nxënësve, pasojat të cilat ata do ti vuajnë gjatë gjithë jetës së tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu