DATA E ZGJEDHJEVE, VJOSA OSMANI SOT NIS TAKIMET ME LIDERËT E PARTIVE POLITIKE

0

Data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është në dorën e u.d të presidentit Vjosa Osmanit.

Pasi që mbrëmë Kushtetuesja vendosi për rrëzim të Qeverisë, institucionet e vendit duhet të përgatiten për zgjedhjet e reja që sipas të gjitha gjasave do të mbahen në muajin janar të vitit 2021.

Sot ndërkaq, u.d e presidentit Vjosa Osmani për të diskutuar për datën e zgjedhjeve do të takohet me liderët e partive politike.

“Partitë politike do të ftohen sot nga u.d. Presidentja Osmani për ta diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë për Gazetën Express, Bekim Kupina, këshilltar për Media i u.d. së presidentit.

Takimet në presidencë, sipas burimeve të Gazetës Express do të fillojnë në ora 13:00.

Vjosa Osmani do t’i pres në takime të ndara liderët e partive politike. I pari me të cilin do të takohet në këtë orë është Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo, po ashtu, ka konstatuar se Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu