Vjen koalicioni i parë, Ismaili tregon se kush do t’i bashkohet PDK-së?

0

shtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj do të jetë kandidat për kryeministër nga radhët e kësaj partie në zgjedhjet të cilat do të mbahen në fillim të vitit 2021.

Kjo është bërë e ditur sot në një konferencë për media të sekretarit të përgjithshëm të PDK-së, Uran Ismaili i cili tha se me kandidatin e saj për kryeministër do të vërtetohet se PDK është forca më e madhe politike në vend.

Duke e quajtur lajm të mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, tha se Enver Hoxhaj përpos karrierës së tij akademike, ka përvojë të madhe institucionale e politike pasi për një kohë të gjatë ka rrugëtuar me burrështetasit Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për shtet-ndërtimin e Kosovës.

Ismaili ka thënë se ky ishte vit degradues për agjendën shtetërore të Kosovës, dhe sipas tij Qeveritë Hoti e Kurti çdo dështim të tyre ia ‘faturuan’ pandemisë.

“Pas një viti rraskapitës, të rëndë, e politikisht të menaxhuar keq nga ata që qeverisën, është lajm i mirë për qytetarët që këtij degradimi po i vjen fundi. Një lajm që e bën shkëputjen nga ajo çfarë pamë për një vit. Prandaj, sot jam i lumtur që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’ua shpalos vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës se kandidati i saj për kryeministër është kryetari në detyrë, profesor Enver Hoxhaj. Hoxhaj, përpos karrierës së tij akademike, ka një përvojë të gjatë institucionale e politike. Ai ka punuar gjatë dhe afër me dy burrështetasit që sot nuk i kemi këtu, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, duke realizuar aspiratat e qytetarëve për pavarësi e shtet-ndërtim. Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu, hyn në këto zgjedhje me një program të qartë për nevojat e qytetarëve, dhe me një ekip të gatshëm për rimëkëmbjen ekonomike dhe politike të vendit. PDK, me kandidatin e saj për kryeministër, Enver Hoxhaj, do konfirmohet si forca më e madhe politike në vend dhe do të dëshmohet edhe një herë si e vetmja që di të qeverisë dhe në qendër të qeverisjes së saj do të jetë qytetari”, tha ai.

Ismaili nuk e përjashtoi mundësinë për një koalicion të mundshëm me Nismën Socialdemokrate, madje ai tha se Partia Demokratike e Kosovës është e hapur për diskutime me të gjitha partitë e interesuara.

“PDK vendimet e saj i diskuton vetëm me PDK-në dhe nuk kemi nevojë që të diskutojmë me asnjë parti tjetër sa i përket kandidaturave tona. Prandaj, ne koalicionin me NISMA apo koalicionin me çfarë do lloj partie tjetër mund ta diskutojmë, mirëpo gjithnjë duke konsideruar se PDK ka një subjektivitet të vetin të cilin e ruan dhe për këtë kohë asnjë lloj vendimi nuk e kemi në atë drejtim. Natyrisht që kanë dëshirë të flasin me PDK jemi të hapura me të gjitha ato që dëshirojnë të flasin, por ne e kemi kryesinë, strukturat tona, vizionin tonë, të cilin nuk e bëjmë kompromis të asnjë pazari politik të mundshëm”, u shpreh Ismaili.

E për ndonjë koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se përgjigjen më të mirë do t’ia japin kësaj partie përmes votave të qytetarëve.

“Përgjigjen më të mirë duhet t’ua japin qytetarët këtij mashtrimi të madh të cilin Vetëvendosje e ka krijuar që një kohë të gjatë se është një parti e parimeve kur në të vërtetë është parti e interesit të vetëm disa personave në krye të saj. PDK ka parë që të gjitha partitë kanë hequr të gjitha vijat e kuqe për faktin se ato e çmojnë vizionin e PDK-së dhe përvojën e saj të madhe në qeverisje, si dhe janë vetëdijshme se ne po forcohemi në terren çdo ditë. Prandaj, çdo vijë e kuqe që keni parë gjatë këtyre viteve është larguar dhe ne jemi po ata të cilët kemi qenë dhe për neve me rëndësi janë programet politike që realizohen në dobi të qytetarëve e jo interesi i një udhëheqësi partiak. Njëherë për njëherë mund t’u themi se ne do të garojmë si PDK do të dalim si parti fituese dhe mendoj se përgjigjen Vetëvendosjes do t’ia japim nëpërmjet votave e jo nëpërmjet konferencave për shtyp”, theksoi ai.

Ai tutje tha se për më shumë se një vit nga zgjedhjet e kaluara, vendi dhe qytetarët janë përballur me një keqqeverisje nga të gjitha partitë politike të përfshira në Qeveri, që kishte pasoja direkte edhe në ekonominë e Kosovës

Gjykata Kushtetuese të hënën vendosi pro kërkesës së Vetëvendosjes rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Vota e Arifit ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, më 3 qershor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu