Qeveria: Do të marrim masa ndaj atyre që e sollën vaksinën ilegalisht në veri

0

Qeveria e Kosovës ka reaguar pasi dje filloi vaksinimi i qytetarëve serbë në veri të Kosovës, i organizuar nga Qeveria e Serbisë.

Ekzekutivi ka thënë se ata dhe as Policia kufitare nuk kanë informacione për futjen e vaksinave në Kosovë, ndërsa kanë thënë se do të marrin masa ndaj atyre që e bën të mundur këtë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës njofton opinionin se në bazë të informatave nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare – legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër Covid-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit. Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Zyra e Kryeministrit thotë se “institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”.

“Çdo produkt mjekësor që hyn në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet rregullave të importit, qoftë ai donacion apo import i rregullt, duke pasur autorizim- marketing për produktin, të lëshuar nga AKPPM (Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale). Nëse një produkt nuk e respekton këtë procedure të rregullt, ai konsiderohet produkt ilegal. Ndërsa organet kompetente ndërmarrin veprimet e duhura ligjore”, thuhet në reagim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu