Tre javë pa rrymë, vendi i pëlqyer i kosovarëve mbetet bosh

0

Dëmtimi nga moti i keq i rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike ka bërë që Valbona të mbetet pa drita prej së paku tre javësh.

Mungesa e energjisë ka boshatisur bujtinat në kulmin e sezonit turistik duke bërë që sipërmarrjet e kësaj zone të vuajnë një tjetër bllokim të ngjashëm me atë të periudhës së izolimit nga pandemia në periudhën e pranverës.

“Situatë shqetësuese të shikosh Valbonën bosh, pa turistë kur është kulmi i sezonit dimëror dhe ky është një kontrast shumë i madh krahasuar me Kosovën për shembull që ka tipare të njëjta të turizmit me Rugovën ishte plot deri në fillim të janarit ndërkohë që Valbona ishte bosh dhe njerëzit ishin pa drita,” – tha për Euronews Albania specialistja e turizmit Flora Xhemani Baba duke e konsideruar të pajustifikueshme këtë gjendje.

Në një komunikim me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në qarkun Kukës, Euronews Albania mësoi se zyrtarisht sipas autoriteteve energji elektrike nuk ka pasur prej datës 30 dhjetor. OSHE ka nisur përpjekjet për rregullimin e situatës dhe se shkak për këtë janë bërë rrëzimi i 20 shtyllave elektrike dhe dëtmimi i mbi 30 traversave prej kushteve atmosferike.

Linja elektrike prej rreth 30 kilometrash aktualisht prej autoriteteve thuhet se është riparuar deri në Dragobi – në gjysmën e parkut kombëtar të Valbonës.

Specialistja e Flora Xhemani Baba tha se për turizmin dimëror Shqipëria vuan tejmase mungesën e infrastrukturës. Ajo përmendi vështirësitë për t’iu qasur Thethit, pikërisht për mungesën e një rruge të kalueshme. Për rastin e Valbonës ajo tha se ajo qaset më lehtë pasi rruga është e kalueshme, mirëpo këtë vit turizmi është dëmtuar tërësisht prej kësaj situate.

Sherif Margjeka, i cili administron një bujtinë në Valbonë tha për Euronews Albania se situata mbetet e njëjtë. Teksa këmbënguli se prej datës 24 dhjetor nuk kanë pasur energji elektrike, e cilësoi gjendjen “katastrofë”.

“Të shtunën që kaloi kemi pasur rreth katër orë energji elektrike e më tej nuk kemi pasur, që prej datës 24 dhjetor,” – tha Margjeka duke shtuar se pavarësisht se në terren kanë parë disa punonjës nuk janë informuar për ndonjë afat se kur do të rregullohet kjo situatë.

Margjeka tha se mungesa e energjisë elektrike ka ndikuar në dëmtimin e flukseve të turistëve pasi ka bërë që të ketë anulime të rezervimeve. Përballë pyetjes nëse kjo situatë përsëritet prej vitesh apo është e rastësishme, Margjeka tha se ka pasur shkëputje të shpeshta edhe gjatë verës, por kurrë nuk ka ndodhur që të ketë mungesë kaq të gjatë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu