Konjufca: Daka është koka e planit për stopimin e VV-së dhe të Albinit

0

Glauk Konjufca ka kritikuar sërish kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, pasi Zyra e Certifikimit të kandidatëve për deputetë ka rekomanduar certifikimin e tyre në pako.

Janë gjithsej 47 kandidatë që mund të kenë telashe me certifikim, bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, meqë janë dënuar në tri vitet e fundit për vepra të ndryshme.

Anëtari i Kryesisë së VV-së, Konjufca, dy ditë më parë kishte kritikuar Dakën, duke thënë se është përgjegjëse “për devijim të procesit”, ndërsa Daka këtë e mori si kërcënim.

Konjufca e ka kritikuar edhe sot përmes një postimi në Facebook.

“Sot u pa qartë për çka e pata fjalën pardje kur thashë që Valdete Daka është koka e planit për stopimin e VV-së dhe të Albinit.

I ftoj tash të gjithë ata që dje i thoshin VV-së ‘të respektohet ligjshmëria’, këtë parim ta thonë edhe një herë e me zë të lartë tash që Zyra e Pavarur e Certifikimit i dha të drejtë Albin Kurtit.

Nëse ky rekomandim nuk zbatohet, atëherë kush nuk po i zbaton vendimet ‘veç kur nuk po i konvenojnë’? VV-ja a Valdete Daka?

Nëse Bordi politik i KQZ-së i mbivendoset Zyrës profesionale të Certifikimit, kjo përfundimisht e fundos pavarësinë e këtij institucioni bashkë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, ka shkruar ndër të tjera Konjufca.

Anëtarët e KQZ-së do të mblidhen sërish për pak minuta, pasi ndërpriten mbledhjen disa orë më herët, me arsyetimin se kishin paqartësi nga rekomandimi i Zyrës për Certifikim. Kërkuan dokumente e sqarime shtesë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu