Irani s’e dëgjon OKB-në, ekzekuton një pjesëtar të pakicave

0

Irani të shtunën e ekzekutoi një militant të komunitetit pakicë, Baluch, i dënuar për vrasjen e dy pjesëtarëve të Rojave Revolucionare. Ekzekutimi i krye vetëm një ditë pas thirjes së Kombeve të Bashkuara që jeta e tij të kursehej.

Javid Dehghan, për të cilin thuhet se ka qenë udhëheqës i grupit militant sunit “Jaish al-Adl”, që në gjuhën shqipe do të thotë “Ushtria e Drejtësisë”, ishte dënuar me ekzekutim me varje në litar për vrajsen me armë zjarri të dy zyrtarëve të sigurisë pesë vjet më parë në provincën juglindore, Sistan-Baluchistan.

Përmes një postimi në rrjetet sociale të premten, Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje kundër ekzekutimit të këtij personi dhe e dënoi vargun e ekzekutimeve, që, sipas kësaj zyreje, janë së paku 28 vetëm nga mesi i dhjetorit. Në mesin e të ekzekutuarve ka pjesëtarë të pakicave, shkruan Reuters.

Organizatat botërore për të drejtat e njeriut shpesh e kanë kritikuar Iranin për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe numrin e madh të personave të ekzekutuar. Sipas organizatës “Amnesty International”, Irani është shteti i dytë në botë që ka ekzekutuar më së shumti persona të dënuar, pas Kinës.

Kjo organizatë tha se gjykata e ka dënuar Dehghanin duke u bazuar në rrëfimet e shtyra nga tortura dhe duke i injoruar abuzimet serioze gjatë procesit hetimor nga agjentët e Rojave Revolucionare dhe autoriteteve hetuese.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu