Krasniqi prezanton politikën e jashtme të PDK-së

0

Nënkryetari dhe kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi gjatë prezantimit të Planit për Rimëkëmbjen e politikës së jashtme dhe imazhit të Kosovës tha se për ta rimëkëmbur Kosovën në arenën ndërkombëtare ky plan do të bazohet në tri shtylla themelore: Politika e Jashtme dhe Diplomacia, Mbrojtja dhe Siguria Kombëtare, si dhe Promovimi për Zhvillim.

Ai theksoi se prioritetet e PDK-së në shtyllën e politikës së jashtme dhe diplomacisë përfshijnë frenimin e çdo iniciative që cenon legalitetin dhe legjitimitetin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, zgjerimin e përfaqësimit diplomatik dhe politik të Kosovës në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë, me prioritet themelor anëtarësimin në OKB, në Këshillin e Evropës, si dhe shndërrimin e misioneve diplomatike nga koncepti klasik i përfaqësimit, në një kapital diplomatik që funksion themelor e ka lidhjen e Kosovës me ekonominë globale dhe investitorët e huaj, lidhjen e ngushtë të institucioneve shtetërore me diasporën, lidhjen e sportistëve vendas me sportin ndërkombëtar dhe lidhjen e artistëve me sfondin kulturor global.

“Brenda 100 ditëve të para, ne do të heqim moratoriumin diplomatik të Qeverisë Hoti dhe do të ndërmarrim një iniciativë të koordinuar me SHBA-të dhe vendet mike të Bashkimit Evropian, për ta aplikuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Brenda 100 ditëve të para, ne do ta riorganizojmë platformën shtetërore për rikonfigurimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet me të cilat është lënduar raporti diplomatik nga paaftësia e qeverive Kurti e Hoti, si dhe do të riorganizojmë qasjen tonë për njohje të reja, jo vetëm si formalitet por edhe si përmbajtje. Kështu do ta kundërshtojmë Serbinë në iniciativën e saj kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës në botë. Kështu do t’ia pamundësojmë Serbisë veton mbi prezencën tonë në rrafshin ndërkombëtar”, tha Krasniqi.

Po ashtu, ai tha se në 100 ditshin e parë të qeverisjes së PDK-së do të rikthehet në arenën ndërkombëtare, historia e vërtetë e Kosovës dhe rrugës e saj drejt pavarësisë, duke mos lejuar që rehabilitimi i Serbisë të kalojë mbi të vërtetën e krimeve kundër njerëzimit, që ka ushtruar shteti serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës me dekada, e veçanërisht gjatë viteve 1998-1999.

“Në kuadër të dialogut ndër-shtetëror me Serbinë, me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, ne do definojmë qartë qëllimet tona shtetërore dhe do t’i koordinojmë të njëjtat me partnerët tanë strategjik. Për ne, dialogu ka vetëm një destinacion, njohjen reciproke në mes dy vendeve. Ndërsa për të arritur tek ky cak, rruga kalon, ndër të tjera, përmes ndalimit automatik të çdo iniciative të Serbisë për ta penguar forcimin e sovranitetit të Kosovës, zbardhjes së fatit të të pagjeturve, reparacioneve dhe kthimit të aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë, si dhe përkushtimit të qartë për trajtim të barabartë e pa kushte në rrugën e integrimit evropian.”, tha Krasniqi.

Me Planin e PDK-së për Rimëkëmbje synohet që gjatë këtij viti Kosova të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Organizatën Botërore të Tregtisë, në Interpol dhe UNESCO, si dhe në çdo organizatë e mekanizëm ndërkombëtar ku bëjnë pjesë shtetet e lira e demokratike dhe forcimi i marrëdhënieve bilaterale me shtetet anëtare të BE-së.

“Për PDK-në, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara do të jetë ambicia kryesore e politikës së jashtme të Kosovës për këtë mandat. Kjo është një e drejtë sovrane për Kosovën. Për ta bërë këtë, ne nuk do të presim pafundësisht derisa pengesat gjeopolitike të Serbisë, Rusisë e Kinës të zhduken vetvetiu. Ne do bëhemi kreativ për t’i hequr këto pengesa sa më parë. Në këtë drejtim, ne do të shqyrtojmë edhe transferimin e të drejtës së përfaqësimit tonë të përkohshëm në OKB përmes Republikës së Shqipërisë”, tha Krasniqi.

Krasniqi, më tej ka folur edhe për diasporën, sportin e kulturën dhe rininë.

“Kosova do të promovojë një imazh real dhe modern, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin e saj, përmes diplomacisë publike dhe kulturore aktive, dhe do të synoj të rris ndikimin e saj kulturor në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Promovimi i diasporës së Kosovës dhe zhvillimi i një kornize konkrete e cila do të mbështesë zhvillimin kulturor, socio-ekonomik dhe politik të diasporës sonë do të mbetet një objektiv kyç. Kur kam shërbyer si ministër i kulturës, rinisë dhe sportit, i kam parë për së afërmi barrierat me të cilat janë ballafaquar qytetarët e Kosovës, e veçanërisht sportistët dhe artistët tanë. Dhe janë pikërisht këta që në shumë raste ia kanë dëshmuar botës se sa i padrejtë ka qenë izolimi i tyre dhe i vendit tonë në përgjithësi. Me planin tonë të Rimëkëmbjes, izolimi i të rinjve tanë, izolimi i shtetit tonë dhe i potencialit që ekziston në Kosovë, do të marrë fund një herë e përgjithmonë. Me ne, Kosova do ta arrijë peshën e vet si aktor i barabartë rajonal dhe si faktor për paqe, stabilitet, e integrim”, ka thënë Krasniqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu