Viola von Cramon kritikon liderët kosovarë për idenë e bashkimit me Shqipërinë

0

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se është qasje e gabuar për Kosovën nëse mendon se do i zgjidh problemet e saja përmes një unioni eventual me Shqipërinë.

“Është një gabim të krahasohet një ide bashkimi me Shqipërinë, si alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht si lloj opsioni rezervë, në rast se Kosova mbetet jashtë BE-së për një kohë më të gjatë”, tha Cramon.

Sipas saj, kjo nuk është një alternative, e as një zgjidhje për problemet të cilat qytetarët e Kosovës duan t’i zgjidhin. Ajo theksoi se votuesit presin zgjidhje reale nga politikanët dhe jo nga parullat e tilla.

“Një referendum i tillë nuk do të ndihmonte askënd dhe sigurisht nuk do të ndihmonte në vështirësitë e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Cramon për RTVD.

Kjo përgjigje erdhi pasi bartësi i listës së AAK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, Ramush Haradinaj, që synon Presidencën pas këtij procesi, e ka shprehur të hapur idenë e bashkimit me Shqipërinë, nëse nuk do të ketë progres në dialogun me Serbinë, në të cilën do të vinte edhe njohja.

“Shpjegova për rrezikun që Kosova të mbetet në pozita të njëjta për shumë vite në vijim, e rrethuar dhe e izoluar. Edhe pse ne kemi orientimin tonë euroatlantik, nuk jemi pa opsion, nëse kjo gjendje e Kosovës do të vazhdojë me tendenca që të zgjatet deri në pafundësi. Opsioni tjetër, do të jetë referendumi i organizuar për bashkimin tonë më Shqipërinë, sepse ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ky nuk është kërcënim për askënd, por thjesht Kosova e ka të domosdoshme anëtarësimin në NATO, qoftë si shtet i pavarur, qoftë si e bashkuar me Shqipërinë”, ka thënë Haradinaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu