Turqia largohet nga Konventa që Kosova e përfshiu në Kushtetutë, reagojnë Gjermania dhe Franca

0

Vendimi i Turqisë për t’u tërhequr nga Konventa e Stambollit, e krijuar për t’i mbrojtur gratë nga dhuna në familje, dërgoi një sinjal të gabuar te Evropa dhe gratë turke.

Kjo u deklarua sot nga Ministria gjermane e Punëve të Jashtme.

“As traditat kulturore, as fetare dhe as traditat e tjera kombëtare nuk mund të jenë një justifikim për të injoruar dhunën ndaj grave”, tha një zëdhënëse e Ministrisë gjermane, raporton Reuters.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja ndërkombëtare për mbrojtjen e grave, përkundër thirrjeve të aktivistëve që e shohin dokumentin si një instrument kryesor në luftën kundër dhunës në rritje në familje.

Megjithëse ka pasur një rritje të dhunës në familje në Turqi gjatë vitit të kaluar, Ankaraja zyrtare ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja – e cila është nën kujdesin e Këshillit të Evropës – e arritur në Stamboll dhe të cilën Turqia e nënshkroi në vitin 2011.

“Të drejtat e grave garantohen nga ligjet tona, veçanërisht Kushtetuta. Sistemi ynë gjyqësor është dinamik dhe mjaft i fortë për të zbatuar masa të reja ligjore kur është e nevojshme”, tha ministrja turke e Familjes, Punës dhe Politikës Sociale, Zehra Zumrut, pa specifikuar nga cila është arsyeja pse Turqia vendosi të tërhiqet nga marrëveshja ndërkombëtare.

Sidoqoftë, qarqet konservatore turke, të cilat kundërshtojnë barazinë gjinore, besojnë se marrëveshja ndërkombëtare minon strukturën e familjes, inkurajon dhunën dhe promovon homoseksualitetin.

Kritikët paralajmërojnë se lëvizja e Ankarasë do ta distancojë më tej Turqinë nga BE-ja.

Franca reagoi gjithashtu

Ministria franceze e Punëve të Jashtme njoftoi sot se është indinjuar thellë për vendimin e Turqisë për t’u tërhequr nga marrëveshja ndërkombëtare për dhunën ndaj grave dhe se kjo shënoi një pengesë të re për këtë vend në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut.

“Ky vendim do të ketë kryesisht një ndikim negativ mbi turqit, të cilëve Franca u shpreh gjithë solidaritetin e saj”, tha ministria franceze në një deklaratë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në shkurt të vitit të kaluar, me shumicë votash miratuan një amandament në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në bazë të të cilit Konventa e Stambollit do të përfshihet në Kushtetutë.

Kjo konventë njihet në botë si instrument ligjor për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës familjare, si dhe për mbrojtjen e viktimave. Ndjekja penale e dhunuesve cilësohet si bazament i konventës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu