Armenët e bëjnë rusishten gjuhë zyrtare në Karabak, reagon Azerbajxhani

0

Parlamenti separatist i Nagorno-Karabakut e ka miratuar propozimin që gjuha ruse të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në rajonin e kontrolluar nga armenët etnikë, krahas gjuhës armene.

Për ndryshimin e ligjit për gjuhët zyrtare votuan 27 deputetë, asnjë nuk ishte kundër, ndërsa dy abstenuan, shkruan Free Europe.

Projektligji do të shndërrohet në ligj pas nënshkrimit të udhëheqësit armen të rajonit separatist, Arayik Harutiunian. Në dokument thuhet se dhurimi i statusit zyrtar gjuhës ruse do t’i thellojë lidhjet kulturore, ushtarake dhe ekonomike me Rusinë.

Prania e Rusisë në Nagorno-Karabak është shtuar në masë drastike pas konfliktit 6-javor mes armenëve etnikë dhe Azerbajxhanit, që përfundoi me marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska.

Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno-Karabakut dhe shtatë distrikte përreth tij u vendosën nën kontrollin e Azerbajxhanit pas gati tri dekadave të kontrollit nga forcat etnike armene. Të gjitha këto territore nga komuniteti ndërkombëtar edhe më parë janë njohur si territor i Azerbajxhanit.

Azerbajxhani e dënoi votimin e armenëve etnikë për bërjen e rusishtes gjuhë zyrtare në Nagorno-Karabak. Presidenti i këtij shteti, Ilham Aliyev, deklaroi: “Mund të jetë vetëm një gjuhë zyrtare në Azerbajxhan – gjuha azere.”

Në anën tjetër, Moska zyrtare tha se kjo është çështje e brendshme e Azerbajxhanit dhe Armenisë, pa e përkrahur apo kundërshtuar zyrtarisht votimin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu