SHEFJA E DIPLOMACISË SPANJOLLE PËR NDESHJEN ME KOSOVËN: ËSHTË FUTBOLL!

0

Ministrja për Punë të Jashtme, BE dhe Bashkëpunim në Qeverinë e Spanjës, Arancha González Laya, ka përjashtuar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ajo ka folur për Kosovën të hënë, në prag të ndeshjes kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”, Spanjë – Kosovë, që luhet të mërkurën (20:45) në Sevilla.

Sipas saj, kjo ndeshje nuk ndryshon qëndrimin e Spanjës për pavarësinë e Kosovës.

“Futbolli është futboll dhe luhet sipas rregullave që përcaktohen nga FIFA”, tha ajo pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Algjerisë, Sabri Boukadoum. “Këto dy gjëra nuk bën të ngatërrohen”, shtoi ajo për “Europapress.es”.

Së fundi, në Spanjë ka pasur një “fushatë” për nënçmimin e Kosovës, qoftë shtetit, qoftë ekipit nacional të futbollit.

Federata e Futbollit e Spanjës dhe mediat e këtij vendi kanë refuzuar t’i referohen ekipit si Përfaqësuese e Kosovës në futboll. Herë i janë referuar si përfaqësuese e Federatës së Futbollit të Kosovës, herë e kanë anashkaluar fare, e herë i janë referuar shtetit të Kosovës si territor. Madje, në fillim, Federata spanjolle tentoi të ndalojë himnin dhe flamurin e Kosovës për këtë ndeshje, por pas ankesës së FFK-së, FIFA e UEFA e bënë të qartë se ndeshjet luhen sipas rregullave të tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu