Ministra e deputetë të VV-së në Tiranë për fushatë

0

Pas shtrëngimit të masave anti-COVID nga Qeveria e Kosovës, një numër i madh i qytetarëve ia kanë mësyrë bregdetit shqiptar për fundjavë.

Bashkë me qytetarët në Shqipëri për fundjavë kanë shkuar edhe ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Liburn Aliu dhe deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani, shkruan Reporteri.net.

Në një fotografi të publikuar në rrjete sociale, ministri Aliu shihet në veturë bashkë me kandidatin për deputet të VV-së në Shqipëri, Boiken Abazi dhe këshilltaren komunale në Kuvendin Komunal të Vitisë, Liridona Bislimi.

E përveç Aliut, edhe deputeti Ramadani ka publikuar vetë fotografi nga Tirana, ku shihet se po qëndron bashkë me zyrtarin e VV-së nga Shqipëria, Arbër Zaimin.

Kujtojmë se më 25 prill do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ku për herë të parë merr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Bojken Abazi për Qarkun e Tiranës dhe Iliaz Shehu për Qarkun e Lezhës, do të jenë dy kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Nga zyrtarët e VV-së në Kosovë vazhdimisht bëhet thirrje tek qytetarët e Shqipërisë që t’i votojnë dy kandidatët e tyre në këto zgjedhje.

Ndryshe, gjatë ditës së premte, por edhe mëngjesin e së shtunës, mijëra qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për të kaluar fundjavën.

Sipas Qendrës për Menaxhimin e Kufijve, në Vërmicë mëngjesin e së shtunës janë krijuar kolona deri në 400 metra, teksa pritjet janë shtuar deri në 30 minuta për të kaluar në anën e Shqipërisë.

Shkak për këtë dyndje kanë ndikuar dhe masat shtrënguese të qeverisë së Kosovës për shkak të rritjes së infektimeve nga COVID-19.

Masat e qeverisë së Kosovës përfshijnë mbylljen e lokaleve dhe restoranteve si dhe zgjatjen e orës policore.

Shqipëria është i vetmi shtet ku shtetasit kosovarë nuk kanë nevojë për test PCR negativ për të kaluar kufirin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu