PDK dhe LDK barazohen me komuna të fituara

0

PDK-ja nuk e mban e vetme bajrakun e fitores në zgjedhjet e fundit lokale. Diaspora u tregua vendimtare dhe pos PDK-së, si ftuese të zgjedhjeve e përcaktoi edhe LDK-në. Kjo për shkak se me vota të diasporës, LDK-ja ia mori Dragashin PDK-së.

Memli Krasniqi në ditën e balotazhit u lajmërua nga Prizreni ku partinë e tij e shpalli fituese ndër partitë shqiptare.

Mitrovica dhe Prizreni – të cilin elektorati i partisë e quan Jerusalemi i PDK-së – janë dy nga qytetet e mëdha të cilat PDK-ja i riktheu. Ndërsa Ferizajn e rimori Agim Aliu pa balotazh në rundin e parë.

Pas numërimit të votave nga KQZ, PDK-ja fitoi nëntë komuna, por jo për gjatë. Pas një gare të ngushtë në Dragash, PDK-ja fitoi me vetëm 47 vota diferencë ndaj LDK-së.

Ky rezultat u përmbys pas numërimit të votave të diasporës dhe rrjedhimisht LDK-ja doli t’i ketë fituar 8 komuna, po aq sa edhe PDK-ja.

Pas një pauze 4-vjeçare, PDK-ja e riktheu edhe Skenderajn me Fadil Nurën të përkrahur nga Sami Lushtaku. Kjo fitore në Drenicë u finalizua në rundin e parë të zgjedhjeve.

Në total, PDK-ja do të administrojë me tetë komuna: Mitrovicën, Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Drenasin, Kaçanikun dhe Hanin e Elezit.

LDK-ja në këto zgjedhje krenohet me rikthimin e kryeqytetit pas 8 vjetëve administrim nga Shpend Ahmeti.

Pa balotazh LDK-ja fitoi në Lipjan dhe Pejë, ndërsa në balotazh pos Prishtinës, mori Junikun, Istogun, Fushë-Kosovën, Vitinë dhe Dragashin, duke rrumbullaksuar tetë komuna.

AAK-ja doli e treta nga partitë shqiptare duke marrë 5 komuna gjithsej. Pa balotazh e fitoi Suharekën dhe Deçanin, ndërsa sonte fitoi në Klinë, Rahovec dhe Gjakovë.

Partia e pushtetit që në zgjedhjet e fundit qendrore doli e para me mbi 50% të votave, arriti të marrë katër komuna në total, në mesin e tyre edhe një qytet të madh.

VV-ja e Kurtit fitoi në Gjilan, Kamenicë, Shtime dhe Podujevë.

Sipas renditjes, PDK-ja dhe LDK-ja fituan më së shumbit komuna, nga tetë. Pas tyre vjen AAK-ja që fitoi pesë komuna, ndërsa VV-ja vetëm katër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu